Foto: Laura Hasani
Reparti i Radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë në QKUK gjatë ditës së sotme dhe nesër nuk do të ofrojë shërbime për pacientë, pasi stafi i këtij reparti do të trajnohet për të punuar me CT simulatorin e instaluar rishtas.
Kështu bëhet e ditur nga Shërbimi Spitalor, Klinik Universitar i Kosovës, përmes një njoftimi, ku thuhet se trajnimi i stafit do të zgjasë sot dhe nesër me dy ndërrime, për të shkurtuar kohën e pezullimit të shërbimeve për pacientë, raporton Zeri.info.
Njoftimi i plotë:
Klinika e Onkologjisë, Reparti i Radioterapisë, është pajisur me aparaturë të re të Tomografisë së Kompjuterizuar për simulimin e pacientëve (CT simulator).
Pas mbarimit te procedurave të instalimit dhe kalibrimit, tashmë klinika posedon CT -simulator modern, i cili ofron kualitet të lartë për identifikimin e zonave me interes.
Në veçanti i identifikon dhe korrigjon imazhet në të cilat gjenden trupat e huaj.
Sipas planit të paraparë nga operatori, stafi duhet të trajnohet për 4 ditë, në datat e rezervuara nga ekspertët e fushës për shkak të kalendarit të planifikimit.
Klinika ka vendosur që trajnimi të mbahet në vetëm 2 ditë, me qëllim që numri i ditëve gjatë të cilave Reparti i Radioterapisë nuk do të ofrojë shërbime për pacientët të jetë jete sa më i shkurtër.
Andaj, gjatë kohës së trajnimit më 20 e 21 dhjetor 2022 (e martë dhe e mërkurë), në dy orare të paradites dhe pasdites, nuk do të punohet me pacientë në Radioterapi. Pacientët janë njoftuar lidhur me këtë.
Kjo po bëhet me qëllimin e vetëm, që kualiteti i shërbimeve në klinikë të rritet në vazhdimësi, duke e pasur përherë në prioritet shëndetin e pacientëve tanë. /Zëri
Comments are closed.