Take a fresh look at your lifestyle.

Si festohej Viti i Ri në burgje gjatë kohës së diktaturës në Shqipëri? – Lajmet e fundit



Si festohej Viti i Ri në burgje gjatë kohës së diktaturës në Shqipëri?




Dita dhe mbrëmja e 31 dhjetorit nuk ishte veçse një ditë tjetër dimri në burgjet e diktaturës për të dënuarit politikë. I njëjti regjim ditor. E njëjta menu. Festa mund të përmblidhej në një kadaif që sillnin disa familje, por kapterët bënin çmos, edhe në këtë rast, për t’ua prishur festën të burgosurve, siç bënin gjatë gjithë vitit me çdo çast të tyre normal.


Është konsideruar gjithmonë një kohë për t’u mbledhur me njerëzit e dashur, ndaj në familjet që kishin një anëtar në burgjet komuniste, ishte e vështirë të ndihej gëzimi i festës së ndërrimit të viteve. Ata e dinin që viti që do të vinte do të ishte njëlloj i vështirë e i mundimshëm për të dashurit e tyre; e dinin që të dënuarve, atë natë, u mungonin më shumë sesa kurrë familjet; e dinin edhe që barku dhe tryeza e tyre do të mbetej thuajse bosh dhe gjatë darkës së fundit të atij viti. Mund t’i kishin çuar ndonjë ëmbëlsirë, ose ndonjë ushqim më tepër gjatë vizitës së dhjetorit, por asnjëherë nuk ishin të sigurt çfarë ndodhte me to, për më tepër që, para lodhjes dhe urisë së vazhdueshme të të dënuarve, sasia e lejuar e ushqimeve që sillnin familjarët, nuk mjaftonte kurrë për t’i dhënë një tryeze burgu, pamjen e një tryeze feste. Plus që gardianët e drejtuesit e burgjeve, të stërvitur si e si për t’ua bërë jetën më të vështirë të dënuarve, nuk do lejonin që ata të festonin, qoftë edhe për pak orë. Dhe nuk mërziteshin më kot familjarët e të dënuarve. Të gjitha këto që mendonin, ishin të vërteta.


Qani Sadiku, i ndarë nga jeta këtë nëntor, të cilit i kushtojmë dhe një homazh përmes këtij shkrimi, i burgosur politik për gati 17 vjet, ka treguar për Gazetën Shqiptare në janar të 2020-ës, se si e kalonin natën e ndërrimit të viteve të burgosurit e Burrelit, një nga vendet ku ai ka vuajtur dënimin, bashkë me Spaçin dhe kampin e Shën Vasilit në Sarandë.“Nata e Vitit të Ri në burgun e Burrelit, por edhe në burgjet e tjera si Spaçi, Qafë-Bari, Ballshi, Zejmeni, etj., nuk kishte asnjë ndryshim nga netët e tjera. Fare. Pra ishte një natë krejt e zakonshme, sa që shumëkush nga ne të dënuarit edhe mund ta harronte fare që ishte nata e Vitit të Ri”.


Kjo do të thoshte që edhe puna dhe ushqimi ditën e fundit të vitit, përfshirë edhe mbrëmjen, ishte njëlloj si çdo ditë tjetër. “Edhe 31 dhjetori që nga mëngjesi e deri në darkë vonë, vazhdonte me të njëjtin ritual si ditët e tjera. Kjo vlente edhe për ushqimin, pra: supë në mëngjes, supë në drekë dhe tasi me çaj në darkë. Kaq, asgjë tjetër”. Komanda nuk bënte tolerimin më të vogël në menunë ushqimore, as edhe për një vakt në vit, mbrëmjen e Vitit të Ri, atë festë që shqiptarët, mirë apo keq, gjithmonë kanë dashur ta festojnë rreth një tryeze plot. “Përveç tasit të atij që ne i thoshim çaj (pasi vinte i ftohtë dhe vetëm emrin kishte çaj) ku duhet të kishte 10 gramë sheqer dhe një copë bukë nga ajo e drekës, ku pjesa më e madhe e të dënuarve e “asgjësonim” që në drekë, absolutisht asnjë gjë tjetër. Prandaj dhe ju thashë se ajo natë nuk ndryshonte fare nga netët e tjera”.


Të vetmin ndryshim mund ta sillnin ushqimet që dërgonin familjet, por edhe ato nuk ishin më shumë sesa simbolike. “Vetëm me kadaif që na i dërgonin familjet me pako, pra me postë, apo kur na vinin për të na takuar aty në burg dhe kjo nuk ndodhte shpesh sepse familjet tona vuanin edhe për shkakun tonë, jo vetëm nga ana politike, por edhe ekonomikisht”. E megjithatë as ëmbëlsira e fundvitit, e siguruar me mundim në ato vite mungesash të mëdha kur familjet ushqeheshin me tollon, nuk i shpëtonte brutalitetit gjithëvjeçar të kapterëve.


“Zakonisht (kadaifin) na e sillnin të pjekur dhe të mbështjellë në letër ashtu siç shitej në dyqanet e tregtisë ku e blinin familjet tona dhe ne hidhnim vetë sherbetin që ishte ujë me sheqer. Por kishte raste kur familjet tona na e sillnin edhe të sherbetosur dhe kjo ndodhte kur ato na vinin vetë në takim…Më kujtohet që kur na e kontrollonte kapteri, ai fuste duart duke e bërë fije-fije dhe pastaj duart që i bëheshin me sherbet, i fshinte te kurrizi me lesh i qenit që e mbante aty afër dhe pastaj, po me ato duar, kontrollonte kadaifin e familjes tjetër, pasi për Vit të Ri, vetëm kadaif na sillnin”.


Atë kadaif, më shumë si simbol sesa ëmbëlsirë, gjithsesi e vendosnin në tavolinë në mbrëmje dhe e ndanin me njëri-tjetrin “sa për të kujtuar që ishte Viti i Ri”, por jo për të festuar. Thelbi i kësaj feste është shpresa për një vit më të mirë, por të dënuarit politikë nuk mund ta kishin.


Shpresat për amnisti ishin shumë të vogla, ndërsa regjimi i burgut aq i egër dhe i vendosur! Edhe nëse data e lirimit do ishte vitin e ardhshëm, ata nuk mund të ishin të sigurt që do të dilnin që aty sepse i druheshin ridënimit, siç i ndodhi dhe Qani Sadikut, që pas dënimit të parë, në vitin 1975, u dënua edhe dy herë të tjera ndërsa vazhdonte dënimin. Shumë më të mundshme sesa përmirësimi i kushteve ishin masat ndëshkimore. As largimin e drejtorit të burgut nuk mund ta uronin, sepse e dinin që mund të vinte një më mizor. U mbetej vetëm të mendonin për familjet e tyre dhe mendimet, ato që niseshin nga burgjet dhe ato që niseshin nga shtëpitë, takoheshin me siguri në mes të rrugës./arkiva.al


Comments are closed.