Take a fresh look at your lifestyle.

Stavileci: E vetmja qeveri që s’e pranon krizën ekonomike është ajo e Kurtit – Lajmet e fundit



Stavileci: E vetmja qeveri që s’e pranon krizën ekonomike është ajo e Kurtit




Partia Demokratike e Kosovës, përmes një konference për media, ka vazhduar ta akuzojë qeverinë “Kurti” për mosmenaxhimin e krizës ekonomike në vend.


PDK-ja më tej ka thënë se rritja e çmimeve të të gjitha produkteve esenciale, e inflacionit dhe mosveprimi i Qeverisë me pako konkrete, po bën që familjet të shkojnë drejt varfërimit, punëtorët drejt perëndimit e firmat drejt falimentimit, shkruan Zeri.info.


Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Blerand Stavileci, ka numëruar sfidat me të cilat po përballen qytetarët, duke shtuar se e vetmja qeveri që nuk po e pranon krizën dhe nuk po vepron është ajo e Kurtit.


“Rëndimi i firmave kosovare me vendime të paqëndrueshme arbitrare zvogëlon të hyrat për to dhe ka efekt direkt në shkurtimin e vendeve të punës dhe rritjen e papunësisë. Papunësia krijon pasiguri. Papunësia dhe pasiguria prodhojnë kriza familjare, sociale dhe psikologjike, e krizat familjare, sociale dhe psikologjike, po prodhojnë ikjen dhe po shtojnë radhët rekorde të ikjeve para ambasadave të huaja. Familjet po shkojnë drejt varfërimit, punëtorët drejt perëndimit e firmat drejt falimentimit”, ka thënë Stavileci.


Më tej, Stavileci ka thënë se krahas pandemisë dhe krizës energjetike, armiku numër një për të gjitha familjet, punëtorët dhe firmat është bërë inflacioni.


“Si asnjëherë pas luftës në Kosovë, inflacioni është ngritur në 14.1 për qind. Me këtë përqindje, Kosova është në mesin e shteteve që i prijnë listës në nivelin global. Nga janari e deri në qershor ngritja e inflacionit është shqetësuese. Është e dyfishtë. Nga 7.1 për qind ka arritur në 14.1 për qind. Mesatarja e inflacionit në 6 muajt e fundit është alarmante. Është dyshifrore. Është 10.4 për qind”, ka theksuar Stavileci.


Ai më tej shtoi se familjet nuk po kanë asnjë pako lehtësuese për përballim të krizës, punëtorët nuk po kanë asnjë ngritje të pagës, si dhe firmat kosovare nuk gëzojnë asnjë lloj skeme mbështetëse.


“Qeveritarët e Albin Kurtit nuk do të duhej të silleshin si sehirxhi. Qeveria nuk është spektatore, ajo duhet të jetë aktore dhe promotore e zhvillimit. E nëse këtë s’mund ta bëjë, atëherë minimalisht le të kujdeset që qytetarëve dhe familjeve t’u ndihmojë në përballje me këto kriza”, tha Stavileci. /Zëri


Comments are closed.