Deputeti i LDK-së: Kurti pas takimit me Vuçiqin në Bruksel të vijë të raportojë në Kuvend – Lajmet e fundit
Foto: Laura Hasani
Bashkimi Evropian ka njoftuar se sot do të mbahet takim i nivelit të lartë të dialogut Kosovë – Serbi.
BE-ja ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të priten në Bruksel nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.
Borrell do të pret Kurtin e Vuçiqin me fillim nga ora 8 e mëngjesit në takime ndaras, ndërsa më pas do të ketë edhe takim trepalësh.
Por kritika për kryeministrin Kurti ka partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.
Nënkryetari i kësaj partie, Anton Quni, në një intervistë dhënë për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se kryeministri duhet të raportojë për dialogun në Bruksel, pasi këtë e obligon edhe Rezoluta e miratuar nga ligjvënësit, ku pro kishin votuar edhe deputetët e VV-së.
Ai thotë se përkundër kësaj, VV nuk e ka përfillur deri tani këtë rezolutë.
“Në Kuvendin e Kosovës, tashmë ekziston një Rezolutë, e cila është votuar edhe nga VV, ku nënvizohet se para dhe pas çdo pjesëmarrje në dialog me Serbinë duhet të raportohet në Parlamentin e Kosovës. Ndërkaq, deri me tani, partia në pushtet nuk e ka përfillur një gjë të tillë”, ka thënë Quni.
Comments are closed.