Take a fresh look at your lifestyle.

Dialogu Kosovë-Serbi dhe zbatimi i marrëveshjes për energjinë, Kurti takon ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka takuar sot ambasadorët e vendeve të QUINT-it si dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian, me të cilët ka biseduar për marrëveshjen mbi zbatimin e Udhërrëfyesit të energjisë, që mundëson pagesën e energjisë nga konsumatorët në komunat në veri të Kosovës, si dhe për zbatimin e marrëveshjes me ENTSO-E dhe rëndësinë që ka kjo për sovranitetin e vendit.

Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se po ashtu është folur edhe për zhvillimet politike në vend, si dhe gjendjen e sigurisë në vend e rajon.

“Duke biseduar lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, u ritheksua angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialog parimor dhe të balancuar, për marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.

Po ashtu vazhdimi i bashkëpunimit të ngushtë dhe bashkërendimit të veprimeve ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të QUINT-it, ishte në qendër të takimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë. /Telegrafi/

Comments are closed.