Take a fresh look at your lifestyle.

Escobar: Ne do të donim marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt të jetë e mundur – Lajmet e fundit



Escobar: Ne do të donim marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt të jetë e mundurFoto: Laura Hasani




I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se është i kënaqur me bisedimet në Beograd dhe Prishtinë dhe se i kanë pëlqyer toni dhe përmbajtja e diskutimit.


Escobar ka theksuar se nuk ka afat zyrtar për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por se dëshira është që procesi të përfundojë sa më shpejt.


“Ne do të donim një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse do ta kishim nesër, do ta pranonim nesër. Nëse duhen dy vjet, atëherë dy vjet. Por ne duhet të lëvizim shpejt, sepse çdo konfrontim që shohim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është gjithnjë e më i rrezikshëm. E fundit, mosmarrëveshja për barrikadat mund të ketë qenë e dhunshme dhe prandaj duhet të punojmë urgjentisht për të. Ajo që dua të shoh në fund të procesit është përkushtimi i Bashkimit Evropian për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor dhe vendet e Ballkanit Perëndimor drejt në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian në një periudhë të arsyeshme. Me të arsyeshme, nuk nënkuptoj njëzet vjet, dua të them shumë më herët”, tha Escobari.


Ai përkujton se dialogu që po zhvillohet është një proces nën patronazhin e Bashkimit Evropian – ata janë ata që negociojnë, ftojnë palët, përpunojnë detajet përfundimtare të aneksit të propozimit.


“Prandaj, nuk dua të flas në emër të tyre, por dua të them se ne e mbështesim plotësisht procesin dhe do të mbështesim Serbinë dhe Kosovën që të ndërmarrin hapa konkretë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Escobar për Euronews Serbia.


I pyetur se pse gjithçka është përshpejtuar duke pasur parasysh se konflikti vazhdon prej dekadash dhe pse zgjidhja e dy Gjermanive nuk është më në tavolinë, ai përkujton luftën ruso-ukrainase.


“Këtu kemi kontekstin e luftës ruso-ukrainase. Ne po flasim përsëri për sigurinë territoriale të Evropës dhe kërcënimin real për sigurinë e Evropës. Dhe në zemër të Evropës ju keni një konflikt të ngrirë, i cili, siç duket, nuk është aq e ngrirë. Ne shpenzuam shumë kohë duke negociuar për targa, karta identiteti dhe barrikada gjatë vitit të kaluar. Atë energji, para dhe kohë do të ishte dashur t’i ndajmë për të mbështetur Ukrainën”, thotë Escobari.


I pyetur se çfarë sheh si zgjidhje të mosmarrëveshjes, Escobar përsërit – integrimin evropian.


“Nga këndvështrimi ynë, pika kryesore është integrimi evropian dhe rënia e barrierave midis vendeve në Ballkanin Perëndimor. Tashmë po flitet shumë për këtë. Nëse do të kishim një sistem të vetëm targash për të gjithë Ballkanin Perëndimor, nuk do të kishim këtë kontest. Të kemi një përfitim të vërtetë për njerëzit në Serbi, ku ata mund të ndryshojnë kartat e tyre të identitetit dhe targat në diçka që përputhet me standardet evropiane, ku Evropa do t’i pranonte kartat tuaja të identitetit nëse do të kalonit nëpër pikat e kontrollit të BE-së, në aeroporte dhe makina juaj të shkojë në kolonën e BE-së, në mënyrë që të mos prisnit gjashtë orë për të arritur në Greqi gjatë verës. Kjo është lloj i zgjidhjes që ne po propozojmë. Kjo është esenca”, thotë Escobari.


Në konstatimin se të dyja palët nuk janë shprehur të gatshme për këtë, ai i përgjigjet me besimin se kjo është pikërisht ajo që duan njerëzit.


“Unë mendoj se njerëzit e duan këtë. Njerëzit do të pranonin zgjidhje të tilla. Dhe, në fakt, ne po përpiqemi t’i sjellim Serbinë dhe Kosovën në një aleancë ku ata do të duhet të jetojnë me çekët, italianët, norvegjezët… Së pari ata duhet të tregojnë se ata mund të jetojnë me njëri-tjetrin”, thotë Escobari.


Ai është i bindur se nuk jemi shumë larg një skenari të tillë.


“Serbia dhe Kosova janë Evropë, ne i trajtojmë ata si pjesë e komunitetit transatlantik, thjesht nuk jeni në strukturat formale. Kjo është një sfidë, si t’iu dërgojmë atje. Por, historikisht, kulturalisht dhe ekonomikisht, ju jeni pjesë e Evropës. Prandaj duam që të jetë realitet”, thekson ai.


Duke iu përgjigjur pyetjes nëse është e mundur zgjidhja pa e njohur Serbia formalisht Kosovën, ai përsërit se zgjidhja nuk është e mundur nëse vazhdojnë këto kriza në rajon.


“Nëse këto mosmarrëveshje midis vendeve vazhdojnë që mund të çojnë në dhunë, atëherë nuk është gjithashtu e mundur”, thotë Escobari.


Ai shpreh besimin se të gjitha vendet e rajonit duhet të njohin njëri-tjetrin “sepse ajo që përcakton Ballkanin Perëndimor është potenciali i jashtëzakonshëm ekonomik që ka, i cili rritet kur punoni së bashku”.


Escobar nuk është i bindur se asnjë politikan serb nuk do ta pranojë njohjen e Kosovës.


“Unë mendoj se nëse kemi njerëz që veprojnë si burrështetas, mund të kemi një dinamikë që mund ta transformojë këtë rajon në diçka shumë pozitive, në një model të vërtetë për të ardhmen, për gjeneratën e ardhshme. Dhe kjo është arsyeja pse ne po e bëjmë këtë – jo për këtë gjeneratë, por për njerëzit që sapo të kryejnë fakultetin vendosin nëse duan të jetojnë në Serbi”, thotë ai.


Ai thekson se tashmë është vonuar me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.


“Është një detyrim ligjërisht i detyrueshëm ndërkombëtar i Serbisë dhe Kosovës. Prandaj, një palë dhe një person nuk mund të heqin dorë nga ky detyrim. Kështu që Asociaicioni do të krijohet dhe çështja është se si të arrihet atje më shpejt”, tha Escobari.


I pyetur nëse integrimi i përshpejtuar evropian është pjesë e marrëveshjes përfundimtare, Escobar përsërit se nuk e di sepse SHBA nuk janë pjesë e këtij procesi.


Escobari rithekson se propozimi është duke u përpunuar në kuadër të dialogut të sponsorizuar nga BE-ja, duke iu përgjigjur pyetjes rreth versionit përfundimtar të propozimit për zgjidhjen e problemit të Kosovës, që mund të vihet në dispozicion të publikut.


“Ne nuk jemi pjesë e atij patronazhi. Ne e mbështesim atë politikisht, financiarisht dhe përmes ngritjes së kapaciteteve dhe për këtë do t’ju drejtoja te kolegu im Miroslav Lajçak,” thotë ai.


Escobar reagon ndaj deklaratës se SHBA-të e kanë përkrahur Kosovën me vite të tëra duke thënë se ata e mbështesin edhe Serbinë.


“E shihni, mbështetja jonë për të gjitha vendet e rajonit është shumë e thellë. Nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën. Ne mbështesim marrëdhëniet më të thella mes SHBA-ve dhe Serbisë. Ne avokojmë për afrimin e vendeve tona në fushën e sigurisë, ushtarake dhe sektorin ekonomik. Gjatë vitit të ardhshëm do të shihni shumë më tepër aktivitete mes SHBA-së dhe Serbisë në atë kuptim dypalësh. Mbështetja jonë për rajonin është shumë, shumë e fortë”, thekson ai.


Escobari beson se të gjitha vendet në Evropë duhet të vendosin sanksione ndaj Rusisë. /telegrafi


Comments are closed.