Take a fresh look at your lifestyle.

Liria e medias në Shqipëri po përkeqësohet – Lajmet e fundit



Liria e medias në Shqipëri po përkeqësohet




Liria e medias në Shqipëri vazhdon të përkeqësohet. Në këtë përfundim kanë dalë partnerët e Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, pas një misioni dy ditor në Tiranë.


Përfaqësues të 7 organizatave evropiane në mbrojtje të lirisë së medias paraqitën gjetjet e tyre pas takimeve që zhvilluan me gazetarë, shoqata të medias në Shqipëri, kryeministrin Edi Rama, deputetë të Komisionit të Medias, përfaqësues të Autoritetit të Mediave Audiovizive, por edhe me përfaqësues të policisë, gjykatës, prokurorisë etj.


Në vlerësimin e tyre, Shqipëria vijon të përjetojë përkeqësim të lirisë së medias, ndërsa nuk ka asnjë përmirësim të situatës për të mundësuar gazetari të pavarur.


Ndërkaq u vlerësua pozitivisht qëndrimi i qeverisë për të tërhequr nga axhenda parlamentare “paketën antishpifje” që ndërkombëtarët e kanë cilësuar si “shpata e Demokleut” mbi tregun mediat dhe me pasoja të rënda nëse do të miratohej.


Vlerësim pati edhe për shtimin e numrit të konferencave për mediat të organizuara nga Kryeministria si dhe për punën e policisë së shtetit në hetimin e shpejtë të sulmeve ndaj gazetarëve dhe zbatimin e masave disiplinore për rastet që përfshijnë oficerë të policisë.


Por shqetësime të mëdha mbeten: perceptimi se klima për raportim të lirë dhe të pavarur po përkeqësohet, ankesat në rritje të gazetarëve për sulme ndaj tyre, gjuha diskretituese si dhe kufizimet për akses në informacion nga institucionet shtetërore.


“Media mbetet e kapur nga biznesi dhe pushteti dhe lidhjet e tyre, e në këtë mënyrë asetet mediatike u shërbejnë axhendave të tyre dhe jo interesit të publikut- u theksua gjatë konferencës për media.Shqetësim u shpreh edhe për emërimet e politizuara në Autoritetin e Mediave Audiovizive dukë vënë në pikëpyetje pavarësinë e tij.


Përfaqësuesit e 7 organizatave theksuan se mungon transparenca dhe aksesi në informacion, ndërkohë qw, zyrat e shtypit të Kryeministrit dhe kryebashkiakut të Tiranës shpërndajnë në media materialet video që kanë interes duke shmangur gazetarët në aktivitetet e tyre.


Ata bënë të ditur se i kishin thënë kryeministrit Rama në takim se Shqipëria është një nga vendet më të këqija sa i takon lirisë së medias dhe vetëm Turqia qëndron më keq në renditje, një krahasim për të cilin kryeministri thanë se reagoi ashpër.


“Fakt është se Qeveria nuk ka bërë asgjë që herën e fundit, 3 vjet më parë, kur ne kemi qënë këtu dhe ky është dështim i qeverisë. Nuk e di si do ta bindni Komisionin Evropian për progress në këtë fushë” –tha Ricardo Gutierrez nga “European Federation of Journalist”


“Diskutuam edhe për ‘riedukimin’, masa që kryeministri Rama ka marrë ndaj disa gazetarëve. Ai tha se e ka thënë me humor, por në fakt gazetarëve u është hequr e drejta të marrin pjesë në konferencat e Kryeministrit, shpresoj që të ketë qënë humor dhe nuk do të ndodhë më”- tha Flutura Kusari nga “European Centre for Press and Media Freedom.”


Gjetjet u prezantuan nga përfaqësues të organizatave; Article 19, European Federation of Journalists, International Press Institute, Committee to Protect Journalists, Reporters Without Borders, European Broadcasting Union, European Centre for Press and Media Freedom./rel


Comments are closed.