Take a fresh look at your lifestyle.

Në Gjakovë mësimi ka nisur në shtatë shkolla – në Prishtinë vetëm në dy shkolla pjesërisht

Greva në arsim është duke vazhduar të mbahet në shumicën e shkollave në Kosovë.

Ndërsa një numër i vogël i shkollave në komuna të caktuara ka vendosur të mos e respektojë thirrjen e SBASHK-ut për vazhdimin e grevës, duke nisur kështu procesin mësimor.

Në Komunën e Prishtinës, mësimi pjesërisht po zhvillohet vetëm në shkollën fillore të mesme të ultë “Ismail Qemali” dhe “Faik Konica”.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati.

“Aktualisht në Prishtinë asnjë shkollë nuk ka filluar komplet procesin mësimorë. Janë dy klasë në shkollën “Ismail Qemali” dhe dy në shkollën “Faik Konica” që po zhvillojnë mësim, tjera informacione nuk kam”, është shprehur Musmurati.

E për dallim nga Prishtina, në Komunën e Gjakovës procesi mësimor ka nisur në shtatë shkolla.

Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Eranda Kumnova – Baçi, në një prononcim për Telegrafin ka treguar se shkolla fillore “Mazllum Këpuska” ka filluar sot procesin mësimor për vitin shkollor 2022/23.

“Shkolla “Mazhllum Këpuska” ka filluar sot zyrtarisht procesin mësimorë, në këtë shkollë vijojnë mësimin vetëm cikli 6-9”, ka thënë Kumnova-Baçi

Drejtoresha ka bërë të ditur se mësimi është duke u zhvilluar edhe në shkollat “Këlmend Rizvanolli” ku mësimi është duke u zhvilluar në të gjitha ciklet, njëjtë sikurse në shkollën “Mustafa Bakija”.

Mësimi në të gjtha ciklet sipas drejtoreshës po vazhdon edhe në SHFMU “Emin Duraku”, e “Fehmi Agani”, dhe shkolla “Fan Noli” në fshatin Dujakë, kurse në shkollën “Yll Morina” mësimi po zhvillohet pjesërisht.

Greva në sektorin publik ka filluar më 25 gusht. Sindikalistët ndër të tjerash po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të mbahet mësimi. /Telegrafi/

Comments are closed.