Take a fresh look at your lifestyle.

OBSH: Po i shihet fundi pandemisë së koronavirusit – Lajmet e fundit



OBSH: Po i shihet fundi pandemisë së koronavirusit


Bota
September 14, 2022 – 17:35

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se numri i rasteve të infektimit me koronavirus ka rënë në mënyrë dramatike në botë.


Prandaj, ky institucion u ka bërë thirrje shteteve që të shfrytëzojnë këtë mundësi për t’i dhënë fund pandemisë.


Numri i rasteve të reja me koronavirus, i cili ka lënë të vdekur miliona njerëz prej fundit të vitit 2019, ka rënë në nivelet më të ulëta prej marsit të vitit 2020, ka thënë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.


“Nuk kemi qenë kurrë në pozitë më të mirë për t’i dhënë fund pandemisë”, u ka thënë ai gazetarëve.


“Nuk e kemi arritur ende këtë gjë, por fundi po shihet”.


Sipas tij, bota duhet të veprojë tani.


“Një vrapuese maratone nuk ndalet kur sheh se i është afruar fundit. Përkundrazi, ajo vrapon edhe më shumë, me gjithë energjinë që i ka mbetur”.


“Ashtu duhet të veprojmë edhe ne. Ne po e shohim fundin. Jemi në pozicion fitues. Tani është koha më e keqe për të ndalur vrapin”, ka paralajmëruar ai.


“Nëse nuk veprojmë tani, rrezikojmë të përballemi me më shumë variante, më shumë vdekje, dhe me më shumë paqartësi”.


Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.


Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.


Deri më tani janë regjistruar mbi gjashtë milionë njerëz të vdekur me këtë virus. /REL


Comments are closed.