Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka reaguar pasi një patrullë e KFOR-it është sulmuar sot në Zubin Potok.
Sveçla ka thënë se barrikadat në veri duhet të hiqen menjëherë dhe Serbia duhet të ndalë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale që destabilizojnë Kosovën, transmeton Zeri.info.
“Lojërat e Vuçiqit dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë. Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë”.
“Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka shtuar se Policia e Kosovës do të vazhdojë të luaj rolin e saj dhe përmbushë misionin e vet.
“Bëj thirrje tek të gjithë qytetarët që të mos bijnë pre e propagandës së Serbisë për të nxitur një konflikt të ri dhe të bashkëpunojnë me Policinë dhe organet e rendit”, ka thënë ai. /Zëri
Comments are closed.