Take a fresh look at your lifestyle.

Gërvalla: Serbia e di shumë mirë që jo 1000, por as 10 ushtarë serbë nuk do të hyjnë më kurrë në Kosovë – Lajmet e fundit



Gërvalla: Serbia e di shumë mirë që jo 1000, por as 10 ushtarë serbë nuk do të hyjnë më kurrë në Kosovë




Gërvalla: Ushtarët serbë kurrë më në Kosovë, po ta kishte përnjëmend Serbia s’do të bënte filma


Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se ushtarët serbë nuk do të mund të shkelin kurrë më në Kosovë. Ministrja ka deklaruar se po ta kishte ndërmend Serbia një ndërhyrje ushtarake në Kosovë, “nuk do të bënte filma” siç po bën,


Duke folur në emisionin “DPT te Fidani”, Gërvalla ka thënë se Serbia nuk i ka lënë më vetes vend në Kosovë.


“”Unë mendoj që Serbia po të guxonte të hynte në Kosovë, nuk do të guxonte të bëj filma. Serbia e di shumë mirë, që jo më 1,000 ushtarë por as 10 ushtarë serbë nuk do të hyjnë më kurrë në Kosovë. S’i kanë lënë vend vetes që të jenë këtu”, ka deklaruar ajo.


Ministrja ka thënë se një aventurë e tillë për Serbinë, do ta shpinte në qorrsokak.


“Nuk përjashtoj dëshirën e madhe që Serbia ka për të provokuar incidente në Kosovë, por ëndrrat që mund t’i shoh dikush që ushtarët serbë mund të shkelin në Republikën e Kosovës, duhet të pushojnë një herë e mirë. Unë nuk besoj që aventurierët nuk e dinë, që një aventurë e tillë do ta shpinte Serbinë në qorrsokak”, ka thënë ajo gjatë emisionit “DPT te Fidani” në T7.


Ndryshe, sonte Qeveria e Serbisë ka vendosur që të kërkojë zyrtarisht nga KFOR-i kthimin e trupave të saj në Kosovë. Lajmin e ka dhënë vet presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili e ka ndjekur mbledhjen e qeverisë.


Gërvalla ka thënë se të gjitha veprimet e fundit të Serbisë, bëhen me qëllimin që t’i shmanget dialogut që ka për qëllim të marr epilog me një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh.


“Serbia në vazhdimësi ka treguar gjatë këtij viti që nuk është e interesuar të zhvillojë dialog me Kosovë, me njohje të ndërsjellë. Tani që procesi i dialogut ka filluar të lëviz drejt bisedimeve për një marrëveshje kornizë, Serbia me një strategji të menduar që më parë… nuk janë të rastësishme këto veprime”, ka deklaruar ai.


Ajo ka thënë se kërcënimet e saj, si një shtet me traditë të njohur agresioni, janë të patolerueshme. Gërvalla ka thënë se institucionet e Kosovës janë të gatshme për ta mbrojtur secilin cep të vendit.


Gjithashtu, ministrja Gërvalla ka thënë se forcat ndërkombëtare janë këtu për të mos e lejuar një luftë të dytë në Kosovë dhe për të garantuar paqe dhe siguri.


“Ky është shtet fqinj që ka një traditë të keqe agresioni ndaj fqinjëve. Serbia është në kërkim të arsyeve pse dialogu me Kosovën nuk duhet të kalojë në fazën tjetër, pra në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhte problemet tona”, ka deklaruar tutje ajo.


“Çfarë argumenti janë targat e veturave? Nuk kam dëgjuar kurrë të ketë nisur një konflikt për shkak të tabelave të veturave. Ato janë një pretekst”, ka shtuar Gërvalla.


Minsitrja e Jashtme ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është njeriu më pro Putinit në Ballkan. Ajo ka folur edhe për emërimin e Ivica Daçiqit ministër të Jashtmë në Serbi, duke thënë se ai ishte një prej njerëzve më të afër të Millosheviqit dhe trashëgimtar pas vdekjes së tij.


“Konsideroj që Vuçiq është njeriu më pro Putinit në Ballkan. Në ndërkohë ka bërë ministër të Jashtëm, një bashkëpunëtor të ngushtë të MIllosheviqit. Jo ministër, ai ka qenë zëdhënës i Millosheviqit, dhe pastaj ka qenë trashëgimtar i tij. Do të ishte shumë naive që pikërisht këta njerëz të sjellin ndryshime në Serbi”, ka thënë Gërvalla. 


Comments are closed.