Take a fresh look at your lifestyle.

Kosova përballet me sulme kibernetike, ekspertët thonë se situata ndryshon nga Shqipëria – Lajmet e fundit



Kosova përballet me sulme kibernetike, ekspertët thonë se situata ndryshon nga Shqipëria




Autoritetet në Kosovë thanë të mërkuren se ditëve të fundit janë përballur me sulme kibernetike që kanë pasur në shënjestër institucionet e vendit duke shkaktuar pengesa në qasje të shërbimeve. Për t’u përballur me këto sulme, qeveria e Kosovës miratoi sot projektligjin për themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike që synon të luajë rolin kryesor në bashkërendimin e agjencive të ndryshme në këtë fushë. Ekspertët thonë se Kosova duhet të rrisin bashkërendimin në këtë fushë përtej institucioneve publike, në mënyrë që të parandalohen sulmet e mëdha kibernetike.


Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën projektligjin që i hap rrugë themelimit të Agjencisë për Siguri Kibernetike në një kohë kur Kosova dhe vendet e rajonit po përballen me sulme kibernetike.


Sipas qeverisë, kjo agjenci ka për qëllim të përcaktojë parimet për sigurinë kibernetike, përgjegjësitë, detyrat, bashkëpunimin dhe masat për parandalimin e sulmeve kibernetike në Kosovë.


“Ditëve të fundit jemi përballur me sulm kibernetik që ka shkaktuar herë pas here pengesa në shërbimin e internetit brenda institucioneve që ka ndikuar edhe në pamundësinë në qasje në shërbime, tendenca këto që rrezikojnë sikurse përdoruesit e sistemit por edhe funksionalitetin e shërbimeve që ofrojmë”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.


Qeveria e Kosovës tha se javëve të fundit është përballur në periudha të caktuara kohore, me sulme kibernetike por që sipas tyre nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave.


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se siguria kibernetike ishte një nga temat e diskutuara në takimin me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, gjatë takimit të së martës në Tiranë.


“Kjo ka qenë tema e parë e diskutimit tonë dhe isha shumë i interesuar të marr vesh sa më shumë për përvojën e tyre me sulmet e fundit që kanë qenë me të vërtetë shumë të dëmshme dhe kriminale dhe ju keni parë që ne sot kemi themelu Agjencinë për Sigurinë Kibernetike me vendim të qeverisë”, tha ai.


Ekspertë të fushës së sigurisë kibernetike thonë se sulmet kibernetike sikurse në Kosovë ku janë ndalur shërbimet nuk kërkojnë ndonjë aftësi të lartë teknike për të realizuar nga hakerët.


“Në Kosovë deri më tani nuk kemi ndonjë shitje të informacionit apo ndonjë sulm të targetuar në sistem duke tentuar që të gjejnë dobësi siç ka qenë rasti i Shqipërisë me TEMS dhe E-Albania ku ka qenë një plan i detajuar, kanë qenë dobësitë e identifikuara dhe ka qenë një rrugëtim se si kanë mbërritë deri te informacioni apo siç i themi ne baza e shënimeve”, tha Tanzer Abazi, njohës i fushës së kibernetikës.


Tanzer Abazi që është edhe pjesë e Shoqatës shqiptare kibernetike thotë se sulmet kibernetike ndaj Kosovës kryesisht vijnë nga Irani, Kina dhe Bjellorusia. Ai thotë se çështja e sigurisë përbëhet nga tri shtylla kryesore.


“Ajo që neve na është cenuar prej trekëndëshit të sigurisë dje është kjo disponueshmëria. Neve nuk është që kemi humb informacionet, nuk është që kanë rënë informacionet në palët e kriminelëve kibernetikë por ne kemi humbur dje shërbimet, një shërbim që ka edhe ajo kosto, ku ka ra interneti por nuk ka qenë diçka e targetuar sikur në Shqipëri ku kanë dal publike lista e TIMS-it sistemit të pikave kufitare edhe E-Albania ku është platforma online. Në momentin e parë që bien ato informacione publike nuk ka më kthim mbrapshtë pra hakerët apo kushdo në botë mund t’i blejë ato, gjitha shtetet mund të blejnë ato dhe cenohet edhe siguria edhe privatësia”, tha ai.


Ekspertët thonë se institucionet e vendit me gjithë investimet në ngritjen e kapaciteteve të sigurisë në fushën e teknologjisë duhet të bashkërendojnë institucionet publike dhe private në rritjen e sigurisë kibernetike, për të parandaluar siç thonë ndonjë sulm kibernetikë që do të mund të kishte pasoja të mëdha për sigurinë dhe privatësinë e vendit. /VOA


 


 


Comments are closed.