Take a fresh look at your lifestyle.

Presidenca për reagimin e Çitakut: Deklaratë absurde, Presidentja punon çdo ditë për qytetarët e Republikës – Lajmet e fundit



Presidenca për reagimin e Çitakut: Deklaratë absurde, Presidentja punon çdo ditë për qytetarët e RepublikësFoto: Laura Hasani




Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar gjatë ditës së sotme për gjendjen alarmante të shumë banorëve të vendit të goditur nga vërshimet.


Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ajo ka kërkuar edhe një reagim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.


“Fole ndonjë fjalë Presidente. Qytetarë të Republikës sonë janë edhe ata”, ka shkruar Çitaku duke shpresuar që “institucionet të mobilizohen dhe banorët e zonave të prekura nga vërshimet të ndihmohen financiarisht”.


Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar Zyra e Presidentes. Bekim Kupina, këshilltar i Osmanit, ka thënë se “që nga dita e djeshme, Presidenca vazhdimisht ka qenë në kontakt me institucionet relevante për t’u siguruar se ekziston mobilizim i plotë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet në komunat e Republikës së Kosovës”.


Ai thotë se presidentja poashtu ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë në mënyrë që të vlerësohet dëmi i bërë dhe të minimizohen pasojat në ekonomi familjare, biznese dhe në bujqësi.


Ndërkaq, reagimin e Çitakut, Kupina e ka quajtur “deklaratë absurde”.


“Presidentja çdo ditë punon për qytetarët e Republikës, ndaj deklaratat absurde, siç është kjo e znj.Çitaku sot, tregojnë se ka të tillë që pikërisht kur duhet të mbrohet interesi qytetar, nxiten nga interesa të ngushta me qëllim që ta sulmojnë Presidenten”.


“Për dallim nga znj.Çitaku, Presidentja e vendit e di shumë mirë edhe kush janë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe ku janë kufijtë e Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani, gjithnjë është me qytetarët dhe punon gjithnjë për interesin e qytetarëve dhe të shtetit”, theksoi Kupina.


Kujtojmë se shumë pjesë të Kosovës, që nga dita e djeshme po përballen me vërshime si pasojë e të reshurave të vazhdueshme në vend.


Ndër zonat më të prekura janë Skenderaj, Mitrovica, Podujeva, Vitia, Klina, Peja, Istogu, e Zubin Potoku. /klankosova


Comments are closed.