Take a fresh look at your lifestyle.

Targat sërish problem ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – Lajmet e fundit



Targat sërish problem ndërmjet Kosovës dhe SerbisëFoto: Laura Hasani




Banorët e Mitrovicës së Veriut, një prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë të hutuar nga situata e re e krijuar pas vendimit të Kosovës për të mos lejuar lëvizjen e veturave me targa KM, të cilat janë regjistruar pas pajtimit të arritur në nëntor, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit lidhur me këtë çështje.


Në deklaratat për Rel-in, ata thonë se nuk e dinë se çfarë të presin më tej.


Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për drejtësi, vlerëson se Serbia po i bishtnon pajtimit të arritur në Bruksel për targat.


Ndërkaq, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd thotë se “tani ekziston rreziku që çështja e targave të kthehet sërish në një lloj keqpërdorimi politik dhe në krizë të re të sigurisë”.


Lidhur me vendimin e autoriteteve të Kosovës kanë reaguar edhe nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e bashkuara të Amerikës.


Ku lindi problemi?


Kosova dhe Serbia sërish po e interpretojnë në mënyra të ndryshme atë për të cilën u pajtuan. Ndërmjetësuesi i dialogut ndërmjet dy palëve, Bashkimi Evropian, u bëri thirrje atyre që ta respektojnë plotësisht dhe pa kushte marrëveshjen dhe aranzhimet e arritura vitin e kaluar për targat.


“Kjo do të thotë që Kosova të përmbahet nga çfarëdo veprimi ndaj atyre pronarëve që kanë targat KM dhe të mbajë në mënyrë efektive staus quo-në, derisa të mos arrihet një zgjidhje më e qëndrueshme në dialog. Kjo, po ashtu, do të thotë që Serbia të mos lëshojë targa të reja KM”, ka sqaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, më 19 janar.


Deklarata e Stanos pasoi vendimin e Kosovës, më 18 janar, që të mos lejojë lëvizjen e automjeteve me targa KM (Mitrovica e Kosovës), të cilat janë regjistruar gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, pra, pas arritjes së marrëveshjes së nëntorit.


Për çfarë u arrit pajtimi?


Marrëveshja lidhur me targat e regjistrimit, që lëshohen nga Serbia për qytetet e Kosovës, është publikuar më 23 nëntor, në formë të deklaratës nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.


Ai asokohe tha se Kosova tërhiqet nga procesi i riregjistrimit të automjeteve me targa KM në targa të Kosovës, ndërkaq Serbia nuk do të lëshojë më targa të reja.


Në vitin 2020, ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka marrë vendim që targat të mos ndërrohen, pra të jenë të përhershme, përveç në rast se ato humben, dëmtohen ose vidhen.


Para këtij vendimi, targat në Serbi janë ndërruar së bashku me lejen e qarkullimit, e cila ka qenë e vlefshme për nëntë vjet.


Po ashtu, targat në Serbi ndërrohen nëse pronari ndërron vendbanimin, që do të thotë se qytetarët në veri, të cilët blejnë vetura të reja, nuk mund t’i regjistrojnë me targa KM.


Mirëpo, në deklaratën e nëntorit të vitit të kaluar, Borrell nuk e ka përcaktuar qartë se çfarë do të ndodhë me ripërtëritjen e regjistrimit, i cili bëhet çdo vit.


Çfarë bëri Serbia?


Më 6 dhjetor, Qeveria e Serbisë miratoi një rregullore, në bazë të së cilës u lejon automjeteve me targa “KM”’ (Mitrovica e Kosovës) të lëvizin pa etiketën e regjistrimit, e cila ngjitet në xhamin e përparmë të automjetit dhe bart të dhënat e regjistrimit të automjetit.


Ngasësit e këtyre automjeteve duhet t’u tregojnë zyrtarëve vetëm policën e sigurimit dhe certifikatën e kontrollit teknik.


Në atë rregullore shkruhet se etiketës i “zgjatet” vlefshmëria deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Kosovën për targa.


Ndërkaq, Kosova pretendon se Serbia në këtë mënyrë po e ripërtërinë regjistrimin e automjeteve që kanë etiketat e veturave me targa KM dhe se kjo është në kundërshtim me marrëveshjen nga Brukseli.


Përgjigja e Kosovës


Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se automjetet, të cilat gjatë dhjetorit të vitit të kaluar kanë ripërtërirë regjistrimin me targa KM, nuk do të lejohen të hyjnë apo të qarkullojnë në territorin e Kosovës.


Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka regjistruar vetura të tilla në dy pika kufitare në veri të Kosovës dhe se ato nuk do të tolerohen më, sepse “janë jolegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre”, si dhe që “Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim” .


“Ftojmë të gjithë qytetarët, pronarë të veturave me targa të tilla, të paraqiten pranë qendrave të regjistrimit civil kudo në Republikën e Kosovës në mënyrë që të regjistrojnë veturat e tyre me targa zyrtare të Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla. /REL


Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU:


Comments are closed.